Categories
Uncategorized

Receta e Renato Mekollit: Gjel deti i mbushur, sipas traditës shqiptare.

Gjel deti i mbushur në traditën shqiptare ka disa variante.

Çdo fundvit, ne kërkojmë të gjejmë një recetë që të jetë e veçantë, e shijshme dhe, mbi të gjitha, pa shumë mundime.

Kjo që do t’ju propozojmë sot është recetë nga Renato Mekolli. Shikoni cilët janë përbërësit.

Përbërësit:

• 1 gjel deti

• 500 gram mish viçi i grirë

• 50 gr oriz

• 1 lugë gjelle mjaltë

• 100 gr arra të qëruara

• 100 gr stika të qëruara

• 2 domate

• 3 portokaj (lëngu)

• 5 thelpinj hudhre

• 2 shkopinj kanelle

• 2 tufa majdanozi

• 1 lugë kafeje piper të zi

• pak kripë

• 50 ml vaj ulliri

Përgatitja e mbushjes:

Vendosim në tenxhere vajin e ullirit, thelpinjtë e hudhrës, qepën e grirë hollë, arrat, stikat dhe i skuqim në zjarr të ngadaltë.

Sa pa marrë ngjyrë, shtojmë mishin e grirë, kanellën, orizin, piperin e zi, kripën dhe i përziejmë për 20 minuta.

E shuajmë me lëngun e portokajve, shtojmë mjaltin, (përdorim vetëm gjysmën e sasisë së lëngut të portokallit dhe të mjaltit), domatet, majdanozin dhe vazhdojmë përzierjen edhe për 10 minuta të tjera.

Përgatitja e gjeldetit të mbushur:

Pastrojmë mirë gjelin e detit nga jashtë dhe nga brenda. E mbushim pjesën e brendshme me masën e përgatitur si më sipër.

E qepim me kujdes që të mos derdhet masa, e vendosim në një tavë, i hedhim kripë dhe e lyejmë me mjaltë, me vaj ulliri dhe me lëngun e portokajve.

E mbyllim mirë tavën me letër alumini dhe e futim në furrë të ngrohur më parë në temperaturën 180 gradë.

Pas tre orësh e ngremë temperaturën në 200 gradë (koha e pjekjes nga masa e gjelit të detit – 3 orë zakonisht është kohë e mjaftueshme për një gjeldeti 2-3 kg).

E lëmë edhe për 10 minuta të tjera në furrë, derisa të marrë ngjyrë të artë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *